Mirë se vini në Mësimi magjik ! 👋
Pse lindi "Mësimi magjik"
Ky blog lindi nga një nevojë personale, por edhe nga një dëshirë e madhe për të ndarë diçka të dobishme me të tjerët.
E kam krijuar këtë hapësirë sepse doja ta ndihmoja djalin tim të aktivizohej, të shkruante, të mësonte dhe të argëtohej në mënyrë kuptimplotë. Por gjatë kërkimeve të mia, vura re se shumica e materialeve ishin vetëm në anglisht. Ato që ishin në shqip, zakonisht ofroheshin me pagesë ose duheshin blerë në librari.
Nga kjo më lindi ideja që t’i krijoja vetë fletët e punës – të thjeshta, me ngjyra, dhe të përshtatshme për fëmijët tanë. Fillimisht i përdorja vetëm për djalin tim, por me kalimin e kohës edhe miqtë e afërmit filluan të më kërkonin kopje për fëmijët e tyre.
Pas dy vitesh krijimi në heshtje, gjeta guximin t’i ndaj publikisht. Më dukej se askush nuk do të interesohej… por shumë shpejt kuptova se kishte vërtet nevojë për to.
E vërteta është që jo çdo prind ka mundësi të blejë vazhdimisht libra për fëmijën e vet. Dhe kur materialet janë falas, bëhen më të arritshme, më të përdorshme, dhe më të natyrshme për t’u futur në përditshmërinë e një familjeje.
Sot, me këtë blog, dua të ofroj materiale edukative në gjuhën shqipe, të bukura dhe praktike, që i aktivizojnë fëmijët me kënaqësi dhe ndihmojnë prindërit të kenë diçka gati – pa kosto, pa stres.
Përfshihen: Aktivitete educative, PDF me aktivitete të printueshme, Sygjerime librash për fëmijë etj..
Shpresoj t'i frymëzoj nënat që të argëtohen sa më shumë që të munden me fëmijët e tyre ndërsa janë ende të vegjël. Këto momente janë kalimtare. Bëni më të mirën prej tyre.Dua që fëmija im t'i kthejë sytë pas këtyre viteve dhe të kujtojë se jam përpjekur të krijoj magji për të dhe se kam shijuar çdo moment të fëmijërisë dhe dashurisë së tij.
Në një kohë kur teknologjia po mbizotëron dhe librat po zbehen në sfond, unë besoj se fletët e punës, ngjyrat, ushtrimet dhe loja me kuptim mund të rikthejnë dashurinë për të mësuar.
💛 Faleminderit që je këtu. Uroj që fletët e punës që kam krijuar me shumë përkushtim, të sjellin sadopak dobi dhe buzëqeshje në shtëpinë tuaj!
.png)
0 Comments